Pas një rishikimi të lidhjeve të tij me ushtrinë izraelite, dega e Bankës Qendrore të Norvegjisë njoftoi se ditët e fundit është tërhequr nga 11 kompani izraelite.
Fondi sovran i Norvegjisë, me vlerë 2 trilionë dollarë, tha se po ndërpret të gjitha kontratat me menaxherët e aseteve që merren me investimet e tij izraelite dhe ka shitur një pjesë të portofolit të tij në vend, për shkak të situatës në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Njoftimi vjen pas një rishikimi urgjent të nisur javën e kaluar, pas raportimeve në media se fondi kishte ndërtuar një pjesëmarrje në një grup motorë avionësh izraelit që ofron shërbime për forcat e armatosura të Izraelit, përfshirë mirëmbajtjen e avionëve luftarakë.
Fondi, që është një degë e Bankës Qendrore të Norvegjisë dhe që më 30 qershor mbante aksione në 61 kompani izraelite, ditët e fundit ka shitur pjesëmarrjet në 11 prej tyre, thuhet në deklaratën e së hënës.
“Tani i kemi shitur plotësisht këto pozicione”, tha fondi, duke shtuar se vazhdon të rishikojë kompanitë izraelite për të mundësuar tërheqje të tjera të mundshme.
Parlamenti i Norvegjisë në qershor hodhi poshtë një propozim për tërheqjen e fondit nga të gjitha kompanitë që kanë veprimtari në territoret palestineze të pushtuara.