Armenia dhe Azerbajxhani kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje historike të ndërmjetësuar nga ShBA-ja në Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar përfundimin zyrtar të dekadave të konfliktit mes dy vendeve të Kaukazit të Jugut.
Marrëveshja u arrit të premten gjatë një samiti të organizuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili e përshkroi dokumentin e nënshkruar nga Presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe Kryeministri armen Nikol Pashinyan si një “përparim historik”.
Duke folur para nënshkrimit, Trump tha: “Kemi arritur të sjellim paqe midis Armenisë dhe Azerbajxhanit pas dekadash konflikti”. Ai lavdëroi Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, të Dërguarin e Posaçëm Steve Witkoff dhe zyrtarë të tjerë për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes.
“Armenia dhe Azerbajxhani angazhohen të ndalin përgjithmonë të gjitha luftimet, të hapin tregtinë, udhëtimet dhe marrëdhëniet diplomatike, si dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”, tha Trump.
Si pjesë e marrëveshjes, Trump gjithashtu hoqi kufizimet për bashkëpunimin ushtarak të ShBA-së me Azerbajxhanin dhe njoftoi se kompanitë amerikane do të bëjnë investime të rëndësishme në të dy vendet, veçanërisht në energji, infrastrukturë dhe teknologji.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se ShBA-të do të nënshkruajnë marrëveshje të veçanta me Armeninë dhe Azerbajxhanin që mbulojnë sigurinë kufitare, bashkëpunimin ekonomik, partneritetet teknologjike dhe tregtinë.
Një pikë kyçe e marrëveshjes përfshin të drejta ekskluzive për ShBA-në për zhvillimin e një korridori strategjik nëpër Kaukazin e Jugut, të quajtur “Korridori i Paqes dhe Mirëqenies Trump”.
Presidenti azerbajxhanas Aliyev e quajti marrëveshjen një “moment historik”, duke thënë: “Ne po shkruajmë një kapitull të ri në marrëdhëniet tona dypalëshe me ShBA-të. Kjo marrëveshje paqeje shënon fillimin e një partneriteti strategjik”.
Kryeministri armen Pashinyan po ashtu e cilësoi marrëveshjen si “një arritje të madhe për paqen që do të ketë ndikim pozitiv në rajon dhe botë. Sot, ne po arrijmë një moment historik dhe po vendosim themelet për një histori të re midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.”
Nominim i përbashkët për Çmimin Nobel për Paqen
Në një veprim të papritur, Aliyev propozoi që Armenia dhe Azerbajxhani të nominojnë së bashku Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen.
“Kështu që ndoshta biem dakord me Kryeministrin Pashinyan të dërgojmë një apel të përbashkët te Komiteti i Nobelit për t’i dhënë Presidentit Trump Çmimin Nobel për Paqen,” tha Aliyev.
Pashinyan u përgjigj: “Mendoj se Presidenti Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqen dhe ne do ta mbrojmë dhe promovojmë këtë.”
Zyrtarët amerikanë thanë se marrëveshja është rezultat i muajve të diplomacisë intensive dhe hedh bazat për normalizimin e plotë mes dy fqinjëve.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë të përfshirë në një mosmarrëveshje të ashpër që nga fundi i viteve 1980, kur forcat armene pushtuan Nagorno-Karabakun, një rajon malor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
Pas shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, të dy vendet luftuan dy luftëra të plota për këtë rajon.
Në vitin 2023, Azerbajxhani e rimori Nagorno-Karabakun në një fushatë të shpejtë ushtarake kundër forcave të mbështetura nga Jerevani.
Türkiye përshëndet marrëveshjen
Ndërkohë, Türkiye përshëndeti përparimin e arritur drejt vendosjes së paqes së qëndrueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë “dhe angazhimin e shënuar në Uashington në këtë drejtim”.
“Në një kohë kur konfliktet dhe krizat ndërkombëtare po intensifikohen, ky hap përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. Ne vlerësojmë kontributet e administratës amerikane në këtë proces”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.
Türkiye tha se është shfaqur një “mundësi historike” që Kaukazi i Jugut të arrijë paqe dhe mirëqenie, duke shtuar: “Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në përpjekjet për realizimin e kësaj mundësie dhe të mbështesim përpjekjet e përkushtuara të Azerbajxhanit vëllazëror.”