Presidenti i Türkiye, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, të martën zhvilluan një bisedë telefonike lidhur me sulmin izraelit ndaj delegacionit negociator të Hamasit në Doha dhe për hapat e përbashkët që duhen ndërmarrë si përgjigje, bëri të ditur Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Türkiyes në platformën turke të rrjeteve sociale NSosyal.
Erdoğan shprehu ngushëllimet e tij për humbjen e jetëve në “sulmin e neveritshëm”, duke theksuar se Ankaraja qëndron pranë popullit të Katarit.
Presidenti Erdoğan e dënoi sulmin, duke thënë se “synon të thellojë konfliktin rajonal dhe përbën një shkelje të qartë të sovranitetit të aleatit dhe mikut, Katarit.”
Dy liderët gjithashtu konfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në ndalimin e masakrës në Gaza, ku Izraeli që prej tetorit 2023 ka vrarë mbi 64.000 palestinezë.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka kryer një “sulm të saktë” të drejtuar ndaj udhëheqjes së lartë të grupit palestinez. Sulmi shkaktoi dënime të menjëhershme në të gjithë rajonin dhe më gjerë.