Autoritet në Shqipëri vazhdojnë me aksionin për lirimin e hapësirave publike. Së fundmi, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit së Tiranës e ka nisur aksionin e vet në Kombinat, që njihet edhe si një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.
Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ndërhyrja vjen pas një numri të madh ankesash nga banorët dhe është pjesë e një plani afatgjatë për rikthimin e hapësirave publike.
“Ajo për të cilën sigurojmë të gjithë qytetarët është se ky nuk është një aksion që ka nisur për dy muaj dhe mbaron. Është një aksion i cili ka nisur dhe do zgjasë për katër vite. Hapësirat publike janë të qytetarëve, janë të njerëzve, janë të fëmijëve dhe ajo që do bëjmë në Kombinat është që kjo lulishte, e cila është lulishtja kryesore, ne brenda dy ditëve do e lirojmë dhe do e kthejmë atë në një park, bashkë me të gjithë drejtoritë përkatëse të bashkisë”, deklaroi Sulaj.
Aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë së Tiranës po zhvillohet do të vijojë në lagje të ndryshme të kryeqytetit, me synim rikthimin e hapësirave publike për qytetarët dhe pastrimin e inerteve pas demolimit të strukturave të paligjshme.
Ndryshe, prej muajit korrik, Shqipëria ka nisur një aksion kombëtar për lirimin e hapësirave të cilat ligjërisht njihen si territor publik. Ky aksion është njoftuar që do të vijojë përgjatë të gjithë sezonit veror dhe do të shtrihet në 4 vite.