RAJONI
3 minuta leximi
Kosova planifikon rindërtimin e komplekseve që u shembën te monumenti "Saraji i Vjetër"
"Me një shpjegim të thjeshtë, kjo është rikthim i diçkaje e cila ka humbur. Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe rekonstruimi eventual besoj se do të ndodhë", tha Bislimi.
Kosova planifikon rindërtimin e komplekseve që u shembën te monumenti "Saraji i Vjetër"
Kosova planifikon rindërtimin e komplekseve që u shembën te monumenti "Saraji i Vjetër" / AA
3 orë më parë

Institucionet e Kosovës planifikojnë rindërtimin e komplekseve të cilat u shembën te monumenti "Saraji i Vjetër" në qytetin e Prizrenit, si pasojë e së cilës Prokuroria Themelore në Prizren dje ngriti aktakuzë kundër dy zyrtarëve komunalë në Prizren.

Sekretari i Ministrisë së Kulturës, së Rinisë dhe së Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, në një konferencë për media ku u bëri thirrje zyrtarëve të nivelit qendror dhe atyre lokalë që të përmbahen nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare që çon në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në vend.

"Për shkak se vërejmë një angazhim negativ, gjithnjë në rritje, të zyrtarëve të pushtetit lokal që shkon në drejtim të cenimit të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe në favor të interesave të paligjshme private: ftojmë ata të heqin dorë nga kjo praktikë", theksoi Bislimi.

Bislimi tha se Ministria planifikon rindërtimin e komplekseve të "Sarajit të Vjetër" duke nënvizuar se shkatërrimi i saj "është bërë në dëm të shtetit", ngase kjo do t'i kushtojë arkës shtetërore.

"Me një shpjegim të thjeshtë, kjo është rikthim i diçkaje e cila ka humbur. Kjo është përgjegjësi e shtetit dhe rekonstruimi eventual besoj se do të ndodhë. Prandaj, do ta ftonim gjithë opinionin, komunat dhe bizneset që të mos ndërmarrin masa të shkatërrimit sepse ne do t’i rikthejmë ato, por kjo është në dëm të shtetit", theksoi Bislimi.

Tutje, ai tha se rindërtimi i komplekseve të "Sarajtit të Vjetër" do të përkthehej me afër 16 milionë euro investim dhe Ministria do të përpiqet maksimalisht që në të ardhmen ta rikthejë asetin në formën siç ishte.

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren të hënën ngriti aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunalë në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Aktakuza është ngritur ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit të Prizrenit, Egzona Thaçi.

Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore "Saraji i Vjetër", duke lejuar rrënimin e kompleksit që ishte në kuadër të mbrojtjes së përhershme si monument kulturor.

Monumentet në kompleksin "Saraji i Vjetër" në Prizren u rrënuan vitin e kaluar

Monumentet në kompleksin "Saraji i Vjetër" në Prizren u rrënuan vitin e kaluar. Tre muajve pas rrënimit të shumicës së monumenteve Ministria e Kulturës përgatiti dosjen e nevojshme për të kërkuar përgjegjësi penale.

Kompleksi "Saraji i Vjetër" shquhet si aset me vlera historike ku ruhen gjurmë të objekteve nga shekulli 19 dhe 20, duke filluar nga ndërtesat e periudhës Osmane, për të vazhduar me ndërtesa të periudhës moderne.

Ky kompleks kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme si monument dy muaj para se të rrënohej, ndërsa cilësohet si një nga hapësirat me vlera historike dhe estetike. Ai u rrënua më datë 27 maj 2024 nga një pronar privat me qëllim të ndërtimit të një kompleksi banesor, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit të cilët dhanë leje të rrënimit të këtij kompleksi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us