RAJONI
3 minuta leximi
Më 15 shtator mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë fillon me paraqitjen e provave
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit tha se shpreson që të përfundojë me provat dhe dëshmitarët deri në fund të tetorit.
Më 15 shtator mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë fillon me paraqitjen e provave
Më 15 shtator mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë fillon me paraqitjen e provave / AA
5 orë më parë

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj më 15 shtator, tha trupi gjykues gjatë konferencës statusore që u mbajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e njohur edhe si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi ishin të pranishëm në sallën plenare ndërsa Jakup Krasniqi e përcolli atë përmes videolidhjes.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se shpreson që të përfundojë me provat dhe dëshmitarët deri në fund të tetorit, derisa avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, tha se parasheh që do t'i duhet 1 javë kohë për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve.

Trupi gjykues tha se koha e kërkuar nga mbrojtja e Thaçit për paraqitjen e provave dhe dhënien e dëshmive është e gjatë, duke llogaritur se bëhet fjalë për 150 orë. Por, mbrojtja argumentoi se duhet të parashihet edhe koha e kundërpyetjeve, pushimet, por edhe koha kur dëshmitarët mund të paraqiten, pasi Mishetiq tha se jo të gjithë dëshmitarët mund të japin dëshmi njëri pas tjetrit, për shkak të agjendave të ngjeshura të tyre.

Mbrojtja e Thaçit tha se nga 11 dëshmitarë, për pesë prej tyre ende nuk ka nxjerrë përmbledhje të deklaratave. Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se po presin autorizim për një dëshmitar nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkaq katër të tjerë janë nga ShBA-ja. Mbrojtja tha se dëshmitarët nga ShBA-ja janë figura të larta dhe të rëndësishme, por nuk zbuloi identitetet e tyre.

Mbrojtja e Hashim Thaçit njoftoi se do t'i duhen 35,5 orë për dhënien e dëshmisë së dëshmitarëve që do të thërrasë në rast. Ndërkaq, mbrojtja e Jakup Krasniqit njoftoi se planifikon që dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatë, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Sipas kësaj përllogaritje, gjykatësi tha se do të duhen 35 ditë punë, pesë orë në ditë dëshmi, për përfundimin e dëshmitarëve, duke parashikuar se dëshmia e tyre mund të përfundojë në dhjetor.

Tutje, Mbrojtja e Thaçit tha se synimi është që të gjithë dëshmitarët të japin dëshmi publike.

Thaçi, bashkë me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, janë në paraburgim nga fundi i vitit 2020. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Që të katër ish-krerë të UÇK-së, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us