RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëri, vazhdon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike
Për disa ditë me radhë, ky aksion ka vazhduar edhe në fshatin Theth, të njohur për turizmin malor, në Qarkun e Shkodrës, aksion i cili ka shkaktuar edhe reagime.
Shqipëri, vazhdon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike
Shqipëri, vazhdon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike / TRT Balkan
11 Korrik 2025

Në Shqipëri vazhdon aksioni i nisur disa ditë më parë për shembjen e ndërtimeve që sipas autoriteteve janë pa leje dhe për lirimin e hapësirave publike. 

Për disa ditë me radhë, ky aksion ka vazhduar edhe në fshatin Theth, të njohur për turizmin malor, në Qarkun e Shkodrës, aksion i cili ka shkaktuar edhe reagime.

Aksioni në Theth ka shkaktuar reagime të banorëve, të cilët kanë kërkuar që një aksion i tillë të bëhej pas sezonit turistik për ato ndërtime që janë pa leje.

Ndërkohë, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë në ditët e fundit ka vazhduar edhe aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Hapësirat në fjalë sipas institucioneve janë zënë nga bizneset në kundërshtimet me ligjet.

Reagon kryeministri Rama

Në lidhje me zhvillimet e fundit për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësira publike ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një takim me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, Rama tha se është shumë e domosdoshme që të bëjnë një reformë të re të kontrollit mbi territorin dhe të ndërhyjnë në legjislacion.

"Duhet një qasje në këtë reformë me legalizimet, me masat shtesë që duhen marrë për të dekurajuar dhe për t’i dhënë një goditje përfundimtare fenomenit të ndërtimeve pa leje që ka rënë shumë, por që është prezent, gjithsesi jo pak", tha Rama.

Rama shtoi se Tirana për shembull është një qytet ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit përtej kufijve normalë të bërjes biznes.

"Në Theth ku gjatë periudhës së zgjedhjeve apo le të themi në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh pa leje, si rezultat dhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik. Jo një, por rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime, pra në një aspekt Policia e Shtetit ka funksionuar, struktura e Policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori", është shprehur Rama.

Në lidhje me aksionet në fjalë, ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ku në një deklaratë të publikuar dje thekson se lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në një njoftim të publikuar sot në rrjetet sociale ka konfirmuar se në Theth vazhdon “operacioni për rivendosjen e ligjshmërisë në zonën e mbrojtur”.

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike pritet të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim në disa qytete.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us