RAJONI
2 minuta leximi
Lëvizja Vetëvendosje zgjedh sërish Albin Kurtin si kandidatin e saj për kryeministër
Kurti, i cili është aktualisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, që u mbajt të dielën.
Lëvizja Vetëvendosje zgjedh sërish Albin Kurtin si kandidatin e saj për kryeministër
Lëvizja Vetëvendosje zgjedh sërish Albin Kurtin si kandidatin e saj për kryeministër / TRT Balkan
7 Shtator 2025

Partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka zgjedhur Albin Kurtin, kryeministër aktual në detyrë, si të propozuarin e saj edhe për një mandat në krye të Qeverisë. 

Kurti, i cili është aktualisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, që u mbajt të dielën.

Në fjalimin e tij, Kurti i ka falënderuar anëtarët e partisë për besimin e dhënë dhe e ka shpalosur programin e asaj që e ka quajtur qeverisje të re, derisa ka përmendur edhe synimin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Gjatë fjalimit të tij duke folur për çështjet aktuale politike, Kurti e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vendimet që i ka marrë gjatë mandatit të tij qeverisës, dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.

“Nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë vonuan për ta trajtuar ankesën e AAK-së e po aq ankesat e LDK-së e PDK-së. Opozita orë e çast i drejtohej Kushtetueses. A e dini pse? Sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe”, ka thënë Kurti.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 5 shtator njëzëri vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kjo masë e Gjykatës Kushtetuese do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator, gjë e cila është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us