RAJONI
3 minuta leximi
Kosovë, gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
I pandehuri L.M., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale.
Kosovë, gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Kosovë, gjykata cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it / AA
5 orë më parë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit L.M., për shkak të dyshimit të bazuar ndër tjerash për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Siç njofton Gjykata Themelore, i pandehuri me inicialet L.M. në bashkëkryerje ka kryer veprat penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare; sulmi ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.M., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze.

Aktakuza thotë se i pandehuri dhe të tjerë përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri.

Nga këto sulme, aktakuza thotë se "janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovë, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe", bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri L.M. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us