Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka takuar Komisaren për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel…
Sipas një njoftimi të ministrisë, bashkëbiseduesit theksuan mbështetjen e fortë për zgjerimin e BE-së, si nga shtetet anëtare ashtu edhe nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjë që konfirmohet edhe nga gjetjet e "Eurobarometrit" të fundit.
Në takim u përshëndet qasja reformuese e Qeverisë, veçanërisht përmbushja e detyrimeve nga procesi i reformave dhe zbatimi i Planit të Rritjes, thuhet në njoftim.
Ministri Mucunski theksoi se reformat që lidhen me integrimin evropian mbeten lart në agjendën politike të brendshme, me një fokus të fortë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai shprehu mirënjohje për angazhimin personal të komisares Kos në procesin e anëtarësimit, veçanërisht në kontekstin e pjesëmarrjes dhe mbështetjes së saj në Samitin e Planit të Rritjes, i cili u mbajt së fundmi në Shkup.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi anëtarësimin e fundit të Maqedonisë së Veriut në SEPA, si dhe iniciativën për t'i hequr gradualisht kostot e roamingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Vendimi për këtë iniciativë pritet në fillim të vitit 2026, si pjesë e përfitimeve të integrimit gradual në BE.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, duke riafirmuar mbështetjen e ndërsjellë për Ukrainën dhe angazhimin për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur.