Specialisti i Urologjisë në Spitalin "Medipol Koşuyolu" në lstanbul, Prof.Dr. Bülent Erkurt deklaroi se marrja e mjaftueshme e lëngjeve, një dietë e shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta mund të jenë zgjidhje për gurët në veshka.
Sipas një deklarate nga Grupi Shëndetësor "Medipol", nxehtësia e verës dhe dehidratimi rrisin rrezikun e gurëve në veshka, të cilët mund të shkaktojnë dhimbje të forta.
Prof.Dr. Erkurt, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në deklaratë, theksoi se humbja e shtuar e lëngjeve në vapë ekstreme mund të çojë në shqetësimin e gurëve në veshka. Ata që kanë pasur gurë në veshka në moshë të re, ata me një histori familjare të gurëve në veshka dhe ata që kanë hequr gurë më parë janë në grupin me rrezik të lartë, shpjegoi Erkurt.
"Qëllimi kryesor para trajtimit është parandalimi i formimit të gurëve që në fillim. Mënyra më e thjeshtë për ta bërë këtë është të ruhet marrja e mjaftueshme e lëngjeve. Tek ata që ndodhen grupin e rrezikut, gurët mund të formohen përsëri në normën prej afërsisht 50-60 për qind çdo pesë vjet. Prandaj, është kusht vlerësimi dhe trajtimi i personalizuar", tha Erkurt.
Ai vuri në dukje se substancat që shkaktojnë formimin e gurëve identifikohen përmes një analize urine 24-orëshe të secilit pacient. "Substancat e mangëta plotësohen, ato të tepërta kufizohen dhe në disa raste, ofrohet mbështetje me medikamente. Kjo mund të parandalojë formimin e gurëve të rinj deri në 80 për qind", u shpreh Erkurt.
Të sëmurëve që marrin trajtim në shtëpi prof.dr. Erkurt u ofroi këshillat e mëposhtme:
"Duhet të pihet ujë i mjaftueshëm për të prodhuar të paktën 2,5 litra urinë në ditë. Konsumi i proteinave shtazore duhet të kufizohet në 0,85 gramë për kilogram. Marrja ditore e kripës nuk duhet të kalojë 4 gramë. Marrja e kalciumit duhet të rregullohet sipas moshës, gjinisë dhe gjendjes shëndetësore. Duke iu përmbajtur këtyre udhëzimeve, formimi i gurëve mund të parandalohet ndjeshëm".
Erkurt theksoi se ushtrimet e rregullta, përveç marrjes së lëngjeve dhe të ushqyerit, janë gjithashtu efektive në parandalimin e formimit të gurëve dhe ai theksoi rëndësinë e ecjes së shpejtë për të paktën një orë në ditë.