Takimi do të mbahet më 11 shtator 2025, nga ora 14:00 deri në 17:00, dhe pritet të jetë një moment kyç për të ardhmen e futbollit europian.
Në agjendë të këtij takimi janë vendime të rëndësishme si caktimi i vendeve pritëse për finalet e UEFA Champions League 2027, UEFA Women’s Champions League 2027, si dhe finalet e UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027 dhe UEFA Women’s Futsal EURO 2027.
Po ashtu, do të diskutohen shpërblimet për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025 dhe miratimi i rregulloreve për Kampionatin Europian të Futsalit për vajza dhe për Kupën e Botës FIFA Futsal 2028.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, do të zhvillohet një festival futbolli për fëmijë në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”.
Ceremonia hapëse do të ketë pjesëmarrjen e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
100 fëmijë nga shkollat lokale do të marrin pjesë, ndërkohë që do të jenë të pranishëm ambasadorët e UEFA-s, Luís Figo dhe Aljoša Asanović, si dhe personalitete të njohura të futbollit shqiptar.