Ukraina njoftoi të dielën se Rusia lëshoi një rekord prej 818 dronësh dhe raketash gjatë natës ndaj territorit të saj, duke tejkaluar shifrën e mëparshme prej 728 sulmesh në korrik, ndërsa Moska pretendoi se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi 69 dronë ukrainas mbi disa rajone ruse dhe Detin e Azovit.
Sipas komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi filloi të premten vonë dhe përfshiu 805 dronë Shahed dhe dronë simulatorë, nëntë raketa kundruese Iskander-K dhe katër raketa balistike Iskander-M/KN-23 të lëshuara nga rajonet ruse dhe Krimea e pushtuar.
“Sipas të dhënave paraprake, deri në orën 08:30 (0530GMT), sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan/neutralizuan 751 objektiva ajrore: 747 UAV të tipit Shahed dhe dronë simulatorë të llojeve të ndryshme, si dhe katër raketa lundruese Iskander-K”, thuhet në një deklaratë të Forcave Ajrore në Telegram.
Deklarata theksoi se goditje nga nëntë raketa dhe 56 dronë u regjistruan në 37 lokacione në gjithë vendin, ndërsa mbetje të mjeteve të rrëzuara ranë në tetë zona.
Ushtria ukrainase nënvizoi se ky ishte sulmi më i madh pas 9 korrikut, kur forcat ruse lëshuan 728 dronë dhe 13 raketa, nga të cilat u shkatërruan 711 dronë dhe shtatë raketa.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj shkatërruan 69 dronë ukrainas gjatë natës në disa rajone.
“Më 7 shtator, nga mesnata deri në orën 06:30 sipas orës së Moskës (0330GMT), sistemet e mbrojtjes ajrore në gatishmëri shkatërruan dhe kapën 69 mjete ajrore ukrainase pa pilot të tipit avion”, tha ministria.
Sipas deklaratës, 21 dronë u rrëzuan në Krasnodar, 13 në Voronezh, 10 në Belgorod, 7 në Astrakhan, 6 në Volgograd, 3 në Rostov, 2 në Bryansk dhe nga 1 në Kursk, Ryazan dhe Krime. Po ashtu, katër dronë janë kapur mbi Detin e Azovit.
Sulmet e fundit vijnë mes intensifikimit të luftës ajrore mes Kievit dhe Moskës, me të dyja palët që kanë shtuar sulmet ndërkufitare me dronë javët e fundit.