Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 18 janë plagosur të mërkurën, kur tramvaji historik Gloria në Lisbonë doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë në rrugën Rua da Gloria.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 18:00 sipas kohës lokale (16:00 GMT), teksa tramvaji po zbriste nga pikëvrojtimi Sao Pedro de Alcantara drejt Restauradores, shkruan Diario de Noticias.
Shërbimet e emergjencës nxorën të gjitha viktimat nga rrënojat. Nëntë nga të plagosurit janë shtruar në spital, pesë prej tyre në gjendje të rëndë.
Policia gjyqësore ka hapur hetim për të përcaktuar shkaqet dhe për të parë nëse ka pasur elementë kriminalë. Ndërkohë, Zyra për Parandalimin dhe Hetimin e Aksidenteve në Aviacion dhe Hekurudha (GPIAAF) do të nisë grumbullimin e provave të enjten, për shkak të mungesës së burimeve në terren.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen, duke përcjellë ngushëllime dhe solidaritet për familjet e viktimave, si dhe duke theksuar se shpreson që autoritetet të sqarojnë sa më shpejt tragjedinë.
Qeveria ka njoftuar shpalljen e zisë kombëtare.
“Lisbona është në zi. Kjo është një tragjedi që nuk ka ndodhur kurrë më parë në qytetin tonë,” tha kryebashkiaku Carlos Moedas.