Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dënoi të martën sulmin e Izraelit në kryeqytetin e Katarit, Doha, që kishte si synim anëtarët e Hamasit, duke thënë se ky sulm shkel ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Katarit.
“Sulmi i Izraelit ndaj delegacionit negociator të Hamasit në Katar ka treguar sërish qartë zemërimin verbues të qeverisë së (Benjamin) Netanyahut dhe qëllimin e saj për të thelluar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë”, tha Erdoğan në rrjetet sociale.
Erdoğan shtoi se Türkiye qëndron pranë palestinezëve dhe pranë aleatit, mikut dhe partnerit strategjik Katar, me të gjitha mjetet e saj, dhe se ata që bëjnë terrorizmin politikë shtetërore kurrë nuk do të kenë sukses.
“Ne do të qëndrojmë të vendosur kundër veprimeve të papërgjegjshme të Izraelit që tërheqin rajonin drejt katastrofës dhe do të vazhdojmë të mbrojmë paqen, ligjin ndërkombëtar dhe lirinë e popullit palestinez me çdo çmim”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se ka kryer një “sulm të saktë që synonte udhëheqësinë e lartë” të grupit palestinez.
Katar dënoi sulmin “qyqarë”, duke thënë se goditja kishte synuar ndërtesa banimi ku qëndronin anëtarë të Byrosë Politike të Hamasit.
Shteti i Gjirit, së bashku me ShBA-në dhe Egjiptin, ka luajtur një rol qendror në përpjekjet për ndërmjetësimin e një mbylljeje të luftës së Izraelit mbi Gazën, e cila ka vrarë më shumë se 64,000 palestinezë që nga tetori 2023.