Norvegjia të hënën shkon në zgjedhje për të zgjedhur të gjithë 169 anëtarët e Stortingut, legjislaturës më të lartë, si dhe përfaqësuesit e Parlamentit Sami, në një garë që pritet të jetë mjaft e ngushtë.
Më shumë se 4,05 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, sipas Statistikave të Norvegjisë. Rreth 310 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë, ndërsa votuesit me prejardhje imigracioni përbëjnë 11,5 për qind të elektoratit.
Votimi në avans ka shënuar rritje këtë vit, me 1,9 milionë fletë të hedhura para ditës së zgjedhjeve. Në kryeqytetin Oslo janë regjistruar 320 mijë vota, më shumë se gjysma e votuesve të qytetit, sipas të dhënave komunale.
Fushata është karakterizuar nga një garë e ngushtë mes bllokut të qendrës së majtë, të udhëhequr nga kryeministri aktual i Partisë së Punës, Jonas Gahr Store, dhe koalicionit të djathtë të dominuar nga Partia e Progresit dhe Konservatorët.
Partia e Punës është përpara në sondazhe me diferencë të vogël, duke lëvizur mes 26,5 për qind – 30 për qind në nivel kombëtar, ndërsa Partia e Progresit është në 19 për qind dhe Konservatorët në 15 për qind.
Çështjet kyç që pritet të ndikojnë te zgjedhësit përfshijnë pabarazinë, taksat, koston e jetesës dhe shërbimet publike. Një sondazh i gushtit nga “Respons Analyse” për gazetën “Aftenposten” tregoi se pabarazia ka zëvendësuar mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare si shqetësimi kryesor për votuesit.
Çmimet e ushqimeve janë rritur me 5,9 për qind gjatë vitit të kaluar, ndërsa ekonomia, punësimi dhe taksat mbeten çështje kyç. Partia e Punës mbështet stabilitetin e përgjithshëm të taksave, megjithëse disa aleatë kërkojnë norma më të larta për të pasurit, ndërsa Partia e Progresit dhe Konservatorët premtojnë ulje të mëdha.
Edhe fondi sovran i Norvegjisë prej 2 trilionë dollarësh është në qendër të debatit. Partia e Punës refuzoi kërkesat e Partisë E Majta Socialiste për të tërhequr investimet nga kompanitë e lidhura me operacionet e Izraelit në Rripin e Gazës, por negociatat pas zgjedhjeve mund ta bëjnë të vështirë të injorohen këto kërkesa.
Politikat energjetike janë gjithashtu në fokus. Si furnizuesi kryesor i gazit në Evropë, Norvegjia eksporton energjinë e tepërt elektrike, por partitë debatojnë mbi kufizimin e eksporteve dhe balancimin e kërkesës së brendshme, si dhe mbi zhvillimin e erës, diellit dhe hidrocentraleve, mes kostove dhe shqetësimeve mjedisore.
Norvegjia përdor përfaqësimin proporcional për të zgjedhur 169 deputetë për një mandat katërvjeçar. Çdo parti që merr më shumë se 4 për qind të votave kombëtare siguron përfaqësim, megjithëse edhe rezultatet në zonat e fuqishme mund të sjellin vende shtesë.
Asnjë parti nuk pritet të marrë shumicën absolute prej 85 vendesh, gjë që e bën të domosdoshme formimin e koalicioneve. Pritet që në parlament të hyjnë nëntë parti – me Partinë e Punës, Të Majtën Socialistët, të Gjelbrit, Partinë Qendrore dhe të Kuqtë në të majtë, ndërsa në të djathtë Konservatorët, Partia e Progresit, Demokristianët dhe Liberalët.
Store synon të vazhdojë mandatin e tij, ndërsa nga ana e qendrës së djathtë, ose udhëheqësja e Partisë së Progresit, Sylvi Listhaug, ose ajo e Konservatorëve, Erna Solberg, mund të bëhen kryeministre.
Rezultatet përfundimtare mund të shpallen vonë të hënën, ndërsa formimi i kabinetit mund të kërkojë negociata shtesë.