RAJONI
2 minuta leximi
Situatë alarmante me zjarret në Shqipëri, evakuohen banorët e Delvinës
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht janë 37 vatra zjarri në vend, nga të cilat 27 janë ende aktive. Ndërkaq, ka nisur evakuuimi i banorëve të Delvinës.
Situatë alarmante me zjarret në Shqipëri, evakuohen banorët e Delvinës
Situatë alarmante me zjarret në Shqipëri, evakuohen banorët e Delvinës / ATA
15 orë më parë

Shqipëria ka kaluar një natë kritike me situatën e zjarreve në vend. 

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht janë 37 vatra zjarri në vend, nga të cilat 27 janë ende aktive. 

Zjarret kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme nëpër vend teksa situata më problematike  vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Në qarkun e Vlorës, bashkia Delvinë, zjarri i nisur në Finiq është përhapur në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Për të shmangur incidente në zonat e rrezikuara është urdhëruar evakuimi i banorëve.

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të rriskut të lartë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të flakëve që i janë afruar qytetit, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk paraqitet rrezik për banesat.

Po ashtu në Delvinë ishte i pranishëm dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili po ndjek nga afër situatën.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us