Është shfaqur në Institutin “Yunus Emre” në Prishtinë dokumentari “Okarina e Runikut”, me protagonist instrumentistin e njohur, të ndjerin Shaqir Hoti.
Familjarë, kolegë por edhe instrumentistë e qytetarë u mblodhën në sallën kryesore të“Yunus Emre”-s në Prishtinë për të ndjekur dokumentarin me rrëfimet e instrumentistit Hoti dhe instrumentistëve tjerë për vlerën e instrumentit frymor të okarinës.
Instrumentisti Hoti shfaqet në dokumentar në shtëpinë e tij, në hapësirën ku punonte instrumentist, duke treguar para kamerës se si ndërtohet një okarinë nga pika zero deri në përdorim.
Biri i Shaqir Hotit, Valdet Hoti, pas shfaqjes së dokumentarit prezantoi disa prej instrumenteve të punuara nga babai derisa tha se ndihet krenar për trashëgiminë që ai la pas.
“Jo vetëm si prind që na mungon në familje, por i mungon shumë fushës muzikore, zanatit, në shumë aspekte, si në komponime, si në pjesëmarrje, si në interpretime”, theksoi ai.