BOTA
2 minuta leximi
Gjermania pezullon dërgimin e armëve në Izrael që mund të përdoren në Gaza
Kancelari Merz kritikoi planin izraelit për të pushtuar Rripin e Gazës, duke deklaruar se nuk do të autorizojë asnjë eksport ushtarak drejt Izraelit që mund të përdoret në këtë fushatë ushtarake.
Gjermania pezullon dërgimin e armëve në Izrael që mund të përdoren në Gaza
Gjermania pezullon dërgimin e armëve në Izrael që mund të përdoren në Gaza / AA
16 orë më parë

Gjermania të premten kritikoi ashpër planet e Izraelit për të pushtuar Rripin e Gazës dhe njoftoi pezullimin e pjesshëm të eksporteve ushtarake.

“Në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë asnjë eksport pajisjesh ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës”, tha kancelari Friedrich Merz në një deklaratë.

Lideri konservator theksoi se Gjermania deri më tani ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, ka mbështetur nismat për lirimin e pengjeve dhe ka avokuar për çarmatimin e Hamasit, duke e mbështetur Izraelin gjatë gjithë konfliktit.

“Vendimi i kabinetit izraelit mbrëmë për të ndërmarrë një veprim edhe më të ashpër ushtarak në Rripin e Gazës e bën gjithnjë e më të vështirë, nga këndvështrimi i qeverisë gjermane, të shihet se si do të arrihen këto objektiva”, theksoi Merz, duke shtuar se qeveria e tij nuk do të autorizojë më asnjë eksport ushtarak drejt Izraelit që mund të përdoret në këtë fushatë ushtarake.

Kancelari gjithashtu shprehu shqetësimin e Berlinit për situatën humanitare katastrofike në Rripin e Gazës, mes raportimeve për fëmijë që po vdesin nga uria dhe për një urie të përhapur që prek popullsinë palestineze për shkak të bllokadës dhe operacioneve ushtarake izraelite.

“Qeveria gjermane mbetet thellësisht e shqetësuar për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës. Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite do të mbante përgjegjësi edhe më të madhe se më parë”, tha Merz, duke përsëritur thirrjen e tij që Izraeli të lejojë akses të plotë për dërgesat e ndihmave, përfshirë ato për organizatat e OKB-së dhe institucionet joqeveritare.

Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë izraelite “të mos ndërmarrë asnjë hap tjetër drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”, mes shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha ndërkombëtare se veprime të tilla mund të përshkallëzojnë më tej tensionet dhe të rrezikojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us