RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, Kushtetuesja u jep shans edhe 30 ditë deputetëve të zgjedhin kreyparlamentarin
Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe “rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.
Kosovë, Kushtetuesja u jep shans edhe 30 ditë deputetëve të zgjedhin kreyparlamentarin
Kosovë, Kushtetuesja u jep shans edhe 30 ditë deputetëve të zgjedhin kreyparlamentarin / TRT Balkan
14 orë më parë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, ku ishte konstatuar se gjatë seancave të kaluara në tentim për të zgjedhur kryeparlamentarin ishin bërë shkelje serike kushtetuese.

Më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka thënë se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë. 

Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

“Gjykata vendosi: TË URDHËROJË, me 6 [gjashtë] vota për dhe 1 [një] kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutë së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses të publikuar sot.

Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe “rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”.

Gjithashtu, gjykata tha se “Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës".

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë nga 15 prilli deri më 26 korrik 2025 mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, pa rezultat në konstituimin e plotë të institucionit legjislativ.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us