BOTA
2 minuta leximi
Mjekët pa Kufij: Vdekjet e fëmijëve nën 5 vjeç në Gaza janë dhjetëfishuar që nga 7 tetori 2023
Organizata bamirëse mjekësore i kërkoi Izraelit të ndalojë atë që e përshkroi si një “fushatë gjenocidale”, ta heqë bllokadën e ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore dhe t'i lehtësojë evakuimet urgjente mjekësore.
Mjekët pa Kufij: Vdekjet e fëmijëve nën 5 vjeç në Gaza janë dhjetëfishuar që nga 7 tetori 2023
Mjekët pa Kufij: Vdekjet e fëmijëve nën 5 vjeç në Gaza janë dhjetëfishuar që nga 7 tetori 2023 / AA
9 Korrik 2025

Një studim i ri mbi vdekshmërinë i kryer nga Mjekët pa Kufij (MSF) sot zbuloi rritje dhjetëfish të shkallës së vdekshmërisë për fëmijët nën moshën pesë vjeç në Rripin e Gazës që nga shpërthimi i luftës aktuale më 7 tetor 2023.

Studimi retrospektiv, i kryer nga njësia epidemiologjike e MSF-së, “Epicentre”, ka përfshirë 2.523 persona, stafin e MSF-së dhe anëtarët e familjeve të tyre, midis tetorit 2023 dhe marsit 2025.

Gjetjet tregojnë se shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë në grup ishte pesë herë më e lartë se nivelet e para luftës, ndërsa për fëmijët nën pesë vjeç ishte dhjetë herë më e lartë. Për të porsalindurit nën një muaj, shkalla e vdekshmërisë është rritur gjashtëfish, duke ngritur alarmin për shkallën e vuajtjeve të civilëve.

“Dyzet e tetë për qind e njerëzve që vdiqën nga lëndimet nga shpërthimet midis familjeve të kolegëve tanë ishin fëmijë, dhe 40 për qind ishin nën dhjetë vjeç”, ka thënë Amande Bazerolle, zëvendësdrejtoreshë e departamentit të urgjencës të MSF-së.

“Fëmijët e Gazës po shkatërrohen”, ka theksuar ajo.

MSF-ja vuri në dukje se tri të katërtat e vdekjeve janë shkaktuar nga lëndime të lidhura me luftën, shumica dërrmuese nga shpërthimet.

MSF-ja gjithashtu theksoi rënien e sistemit të kujdesit shëndetësor të Gazës. Dy të tretat e atyre me sëmundje kronike kanë përjetuar ndërprerje të trajtimit.

“​​​​​​Kjo është rezultat i fushatës izraelite për ta shkatërruar sistematikisht sistemin shëndetësor dhe mjetet e mbijetesës së gjithë popullsisë”, tha MSF-ja.

Organizata bamirëse mjekësore i kërkoi Izraelit të ndalojë atë që e përshkroi si një “fushatë gjenocidale”, ta heqë bllokadën e ushqimit, karburantit dhe furnizimeve mjekësore dhe t'i lehtësojë evakuimet urgjente mjekësore – veçanërisht për fëmijët.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us