Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është skeptik se Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, është gati të përfundojë luftën në Ukrainë, duke theksuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të mbështetet nga garanci të forta sigurie për Kievin.
"Kur e shoh situatën dhe faktet, nuk e shoh Presidentin Putin shumë të gatshëm të arrijë paqe tani. Por ndoshta jam shumë pesimist", tha Macron për NBC News në një intervistë pasi mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e ShBA-së Donald Trump, Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë.
Macron këmbënguli që ShBA-ja dhe aleatët e saj duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Moskën, duke përfshirë sanksione më të forta, nëse bisedimet e paqes dështojnë.
"Nëse rusët nuk i përmbahen kësaj qasje, ne duhet të rrisim sanksionet, sanksionet dytësore dhe parësore", paralajmëroi ai.
"Ekziston një agresor, që është Rusia. Ekziston një vend që vendosi të vriste njerëz, vodhi fëmijë dhe refuzoi një armëpushim dhe paqe, kështu që nuk mund të krijojmë thjesht një situatë ekuivalente midis Ukrainës dhe Rusisë", tha Macron.
Trump u kishte thënë udhëheqësve se Putini pranoi parimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në takimin e tyre në Alaska javën e kaluar, theksoi Macron.
I pyetur për perspektivën e një armëpushimi, Macron tha se shpresonte për një të tillë, por shtoi se sulmet ruse vazhduan gjatë bisedimeve.
Lidhur me lëshimet territoriale, Macron tha: "Tani, kur flasim për territorin, është detyrë e presidentit ukrainas dhe e popullit ukrainas ta diskutojnë këtë".
Një delegacion i rëndësishëm iu bashkua Macronit në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe Kryeministren italiane, Giorgia Meloni.