Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se “kuptimet” që arriti me Presidentin amerikan Donald Trump gjatë një samiti në gusht hapin rrugën për paqen në Ukrainë, të cilën ai do ta diskutojë me liderët që marrin pjesë në një samit rajonal në Kinë.
Putin, Kryeministri indian Narendra Modi dhe liderë nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Azia e Jugut dhe Azia Juglindore po marrin pjesë në forumet e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në qytetin Tianjin, të organizuar nga Presidenti kinez Xi Jinping.
“Ne i vlerësojmë shumë përpjekjet dhe propozimet nga Kina dhe India, të cilat synojnë lehtësimin e zgjidhjes së krizës ukrainase”, tha Putin para forumit.
“Shpresoj që kuptimet e arritura në takimin e fundit Rusi–ShBA në Alaskë gjithashtu kontribuojnë drejt këtij qëllimi.”
Ai tha se të dielën tashmë i kishte dhënë detaje Xi Jinpingut për arritjet e bisedimeve me Trump dhe për punën “që është duke u zhvilluar” për zgjidhjen e konfliktit, dhe do të japë më shumë detaje gjatë takimeve dypalëshe me liderin kinez dhe të tjerët.
“Për të qenë e qëndrueshme dhe afatgjatë, zgjidhja e krizës ukrainase duhet të adresojë shkaqet rrënjësore të saj.”
Ai theksoi se pjesë e burimit të konfliktit “qëndron në përpjekjet e vazhdueshme të Perëndimit për të integruar Ukrainën në NATO.”