Shtëpia e Bardhë ka hapur llogari në TikTok, platformën e mediave sociale me bazë në Kinë, të cilës presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i dha afat shtesë deri më 17 shtator për ta lejuar shitjen e saj te një kompani amerikane.
Procesi që lidhet me shitjen e TikTok-ut te një kompani amerikane ruan ende paqartësinë e tij.
Shtëpia e Bardhë hapi llogari në TikTok, të cilës i ka dhënë një afat deri më 17 shtator. Në deklaratën e videos së parë të ndarë nga llogaria thuhet: "Amerika, jemi kthyer. Ç'kemi, TikTok?".
Debati mbi TikTok-un në ShBA
TikTok u mbyll në ShBA më 19 janar sipas një ligji që parashikonte ndalimin e tij në ShBA, nëse nuk do t'i shitej një kompanie amerikane. Në të njëjtën ditë u lejua qasja në aplikacion.
Në ditën e tij të parë në detyrë, presidenti i ShBA-së Trump nënshkroi dekretin që përfshinte udhëzimin për pezullimin e zbatimit të këtij ligji për 75 ditë.
Trump tha se nuk mbështeste një ndalim të TikTok-ut, por se donte që 50 për qind e tij të transferohej te një kompani amerikane për ta hequr ndalimin. "Ne kemi të drejtën ta shesim ose ta mbyllim TikTok-un. Këtë do ta vendosim ne. Nevojitet miratimi i Kinës, por jam i sigurt se edhe ata do të japin miratim. Nëse nuk e bëjnë, ne do t'i vendosim tarifa Kinës", tha ai.
Trump theksoi se nëse nuk arrihet marrëveshje që një kompani amerikane të blejë TikTok-un, ai mund ta zgjasë afatin për blerjen e aplikacionit dhe Kinës i dha sinjalin se mund t'i ofrojë Pekinit ulje të tarifave në këmbim të miratimit të blerjes së aplikacionit.
Pas kësaj, Trump njoftoi në qershor se ka zgjatur afatin edhe me 90 ditë të tjera (deri më 17 shtator 2025), lidhur me pezullimin e zbatimit të ligjit i cili parashikon ndalimin e TikTok-ut në vend nëse nuk do t'i shitet një kompanie amerikane.