Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s të mërkurën e ka përshkruar Rusinë si kërcënimin më të madh dhe direkt për sigurinë euroatlantike, duke përsëritur se aleatët duhet të investojnë më shumë në mbrojtje dhe të zgjerojnë prodhimin industrial të armëve.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin estonez Alar Karis në Bruksel, Mark Rutte tha se Rusia mbetet “kërcënimi më i madh dhe direkt” për sigurinë euroatlantike.
“Prandaj duhet të qëndrojmë vigjilentë, të investojmë më shumë në mbrojtje, të zgjerrojmë prodhimin industrial të armëve nga të dyja anët e Atlantikut dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, theksoi ai.
Rutte nënvizoi rëndësinë e takimit të nesërm të “Koalicionit të Vullnetarëve” në Paris, ku Ukraina dhe aleatët do të diskutojnë mbi garancitë e sigurisë, duke kujtuar deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump muajin e kaluar që ai dëshiron të bëhet pjesë e garancive për sigurinë e Kievit.
“Pres që nesër ose pas nesër të kemi qartësi për atë që mund të ofrojmë kolektivisht”, shtoi ai.
Shefi i NATO-s tha se kjo do të thotë që aleatët mund të bashkëpunojnë edhe më intensivisht, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë se çfarë duan të ofrojnë në kuadër të pjesëmarrjes amerikane në garancitë e sigurisë dhe si do të duket kjo, në mënyrë që aleanca të ketë qartësi kolektive.
Nga ana tjetër, Karis ripërsëriti angazhimin e Estonisë për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.
Ai tha se kjo është e vetmja mënyrë, pasi do të ishte “garancia më e mirë” për të ardhmen paqësore të Ukrainës, por edhe sepse “Ukraina do ta bëjë NATO-n shumë më të fortë.”
Presidenti estonez shtoi se anëtarësimi i Ukrainës në NATO gjithashtu do ta bënte Evropën më të sigurt.