Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se ushtarët "e guximshëm" të Koresë së Veriut iu bashkuan luftës në Ukrainë me iniciativën e udhëheqësit të tyre, Kim Jong Un.
Putin i bëri këto komente gjatë bisedimeve dypalëshe me liderin verikorean në Shtëpinë e Pritjes Shtetërore Diaoyutai, pasi mori pjesë në paradën ushtarake kineze "Dita e Fitores" në Pekin.
Kjo është hera e parë që presidenti rus deklaroi përfshirjen e trupave të Koresë së Veriut në luftën e Ukrainës me iniciativën e Kimit.
Putini tha se lidhjet midis Rusisë dhe Koresë së Veriut morën "karakter të veçantë besimi dhe miqësie, një karakter aleat". Ai theksoi se forcat speciale të Koresë së Veriut kanë marrë pjesë në betejën për rajonin e Kurskut në Rusi kundër trupave ukrainase.
"Me iniciativën tuaj, siç dihet mirë, forcat tuaja speciale morën pjesë në çlirimin e rajonit të Kurskut, në përputhje të plotë me marrëveshjen tonë të re", tha Putini duke lavdëruar ushtarët e Koresë së Veriut për luftën "heroike dhe të guximshme".
Presidenti rus i kërkoi gjithashtu Kim-it të përcjellë "fjalët e tij më të ngrohta të mirënjohjes për të gjithë popullin" e Koresë së Veriut. Ky është takimi i tyre i katërt dypalësh.
Më parë, Putini dhe Kim u takuan për samitin e tyre të parë në vitin 2019, kur udhëheqësi i Koresë së Veriut udhëtoi në qytetin e Lindjes së largët të Rusisë, Vladivostok.
Sipas Koresë së Jugut, Pheniani ka humbur rreth 2.000 trupa në luftën kundër Ukrainës.