Kremlini deklaroi të martën se Moska nuk i konsideron “legjitime” kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Indisë për vendosjen e tarifave më të larta për shkak të blerjes së naftës ruse.
“Dëgjojmë shumë deklarata që në fakt janë kërcënime. Përpjekje për të detyruar vendet të ndalojnë tregtinë me Rusinë. Nuk i konsiderojmë të tilla deklarata legjitime,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për gazetarët, duke komentuar deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Indisë, e cila u publikua si përgjigje ndaj deklaratave të Trumpit gjatë fundjavës.
Peskov theksoi se shtetet sovrane kanë të drejtën të zgjedhin vetë partnerët e tyre për tregti dhe bashkëpunim ekonomik bazuar në interesat e tyre.
Trump tha të dielën në rrjetin social Truth Social se do të vendosë tarifa më të larta për Indinë, duke e akuzuar New Delhin se po përfiton nga rishitja e naftës ruse.
Pa dhënë detaje për përmasën apo afatin kohor të rritjes së tarifave, presidenti amerikan deklaroi: “Ata nuk shqetësohen për sa njerëz po vret makina e luftës ruse në Ukrainë. Për këtë arsye do të rris ndjeshëm tarifat që India i paguan ShBA-së.”
Si përgjigje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, deklaroi të hënën se ShBA-ja e kishte inkurajuar një import të tillë indian në fillim të luftës mes Moskës dhe Kievit, me qëllim “forcimin e stabilitetit të tregut global të energjisë”.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, “në mënyrë të pajustifikuar dhe të paarsyeshme” e kanë shënjestruar Indinë për importin e naftës ruse.
“Ashtu si çdo ekonomi e madhe, India do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe sigurinë ekonomike,” thuhet në deklaratë.