BOTA
2 minuta leximi
Danimarka thërret diplomatin amerikan pas dyshimeve për ndikim në Grenlandë
Sipas transmetuesit danez, qytetarë amerikanë me lidhje me Shtëpinë e Bardhë thuhet se po përpiqen të krijojnë përçarje mes Danimarkës dhe Grenlandës.
Danimarka thërret diplomatin amerikan pas dyshimeve për ndikim në Grenlandë
Danimarka thërret diplomatin amerikan pas dyshimeve për ndikim në Grenlandë / AA
19 orë më parë

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, thirri të mërkurën përfaqësuesin amerikan në Danimarkë, pas raportimeve se qytetarë amerikanë po zhvillojnë një fushatë ndikimi në Grenlandë, raportoi transmetuesi shtetëror danez DR.

“Çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë është, natyrisht, e papranueshme. Në këtë kuadër, i kam kërkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të thërrasë për një takim diplomatin amerikan në Asiatisk Plads,” tha Rasmussen për DR.

Kjo ndodhi pasi transmetuesi zbardhi se të paktën tre qytetarë amerikanë, me lidhje me ish-presidentin Donald Trump dhe Shtëpinë e Bardhë, po përpiqen të krijojnë përçarje mes Danimarkës dhe Grenlandës - një territor autonom danez, për të cilin Trump ka këmbëngulur se duhet të jetë tokë amerikane.

“Këta janë burra që udhëtojnë vazhdimisht mes ShBA-së dhe Grenlandës dhe që punojnë për të krijuar atë që mund ta quajmë një lëvizje separatiste grenlandeze”, thotë Niels Fastrup, një nga gazetarët investigativë të DR-së.

Fastrup pretendon se ata ndërtojnë rrjete, depërtojnë dhe përpilojnë lista personash - qoftë mbështetës, qoftë kundërshtarë të Trumpit dhe përpjekjeve të tij për të marrë Grenlandën.

Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës në Grenlandë i ka bërë me dije transmetuesit se Grenlanda ka qenë objektiv i disa fushatave ndikimi.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e transmetuesit, Ambasada Amerikane në Kopenhagë ka përcjellë një reagim nga një përfaqësues i qeverisë amerikane:

“Presidenti, zëvendës president dhe sekretari i shtetit kanë qenë të qartë: ShBA-ja respekton të drejtën e popullit grenlandez për të vendosur për të ardhmen e vet”, thuhet në përgjigje, duke theksuar se qeveria amerikane nuk kontrollon veprimet e qytetarëve privatë që mund të kenë interesa në Grenlandë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us