BOTA
2 minuta leximi
Trump akuzon Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë për komplot kundër ShBA-së
“Përshëndetjet e mia më të ngrohta për Vladimir Putinin dhe Kim Jong Unin, ndërsa ju komplotoni kundër ShBA-ve”,tha presidenti amerikan drejtuar homologut të tij kinez
Trump akuzon Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë për komplot kundër ShBA-së
Trump akuzon Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë për komplot kundër ShBA-së / AA
14 orë më parë

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, akuzoi liderët e Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë për komplot kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa Pekini organizoi paradën më të madhe ushtarake ndonjëherë për të shfaqur fuqinë e tij në rritje.

Trump i postoi komentet të martën në platformën amerikane të mediave sociale Truth Social, të cilën ai e zotëron, duke shkruar:

“Pyetja e madhe që duhet t’i përgjigjemi është nëse presidenti Xi i Kinës do të përmendë sasinë e madhe të ndihmës dhe ‘gjakut’ që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë Kinës për ta ndihmuar ta siguronte LIRINË e saj nga një pushtues i huaj shumë armiqësor.”

Ai theksoi se shumë amerikanë kanë humbur jetën në luftën e Kinës për fitore dhe tha se shpreson që guximi dhe sakrifica e tyre të jenë “të nderuara dhe të kujtuara me të drejtë.”

“Uroj që presidenti Xi dhe populli i mrekullueshëm i Kinës të kenë një ditë të madhe dhe të qëndrueshme feste. Ju lutem, përcillini përshëndetjet e mia më të ngrohta (presidentit rus) Vladimir Putin dhe (liderit të Koresë së Veriut) Kim Jong Un, ndërsa ju komplotoni kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Parada në Sheshin Tiananmen përfshiu formacione marshimi, kolona të blinduara, fluturime ajrore dhe kapacitete të reja ushtarake të gjeneratës së re, duke përfshirë sisteme të pa pilotuara, mjete të luftës kibernetike dhe elektronike, pajisje për luftë nënujore dhe armë hipersonike të gjitha të prodhuara në Kinë.

Ngjarja u hap me të shtëna artilerie ceremoniale, të ndjekura nga presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, të cilët pritën liderët botërorë në vendin e ceremonisë.

Gjatë fjalimit në paradë, Xi deklaroi se njerëzimi përballet me një zgjedhje mes paqes dhe luftës dhe bëri thirrje për eliminimin e shkaqeve rrënjësore të konflikteve dhe për të parandaluar përsëritjen e tragjedive historike.

Mes liderëve të pranishëm ishin presidenti iranian Masoud Pezeshkian, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, kreu i juntës së Mianmarit Min Aung Hlaing, kryeministri sllovak Robert Fico, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti mongol Khurelsukh Ukhnaa, presidenti uzbek Shavkat Mirziyoyev dhe presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.

Parada përkujtoi fitoren e Kinës në luftën e saj kundër pushtimit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Parada e fundit madhore ushtarake për këtë rast u mbajt në vitin 2015.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us