BOTA
1 minuta leximi
Teherani përgënjeshtron Trumpin: Nuk kemi kërkuar takim
"Nuk kemi bërë asnjë kërkesë për takim me palën amerikane", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei.
Teherani përgënjeshtron Trumpin: Nuk kemi kërkuar takim
Teherani përgënjeshtron Trumpin: Nuk kemi kërkuar takim / AA
8 Korrik 2025

Irani e përgënjeshtroi të martën deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Teherani kishte kërkuar takim për programin bërthamor iranian.

“Nuk kemi bërë asnjë kërkesë për takim me palën amerikane,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Tasnim.

Trump kishte deklaruar të hënën se Uashingtoni do të zhvillojë negociata me Iranin për çështje bërthamore.

“Kemi caktuar negociata me Iranin dhe ata duan të bisedojnë,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Më 22 qershor, bombarduesit amerikanë B-2 hodhën 14 bomba bunkershkatërruese GBU-57 mbi objektet bërthamore iraniane në Fordo dhe Natanz, ndërsa mbi objektin në Isfahan u lëshuan dhjetëra raketa lundruese Tomahawk nga nëndetëse, si pjesë e fushatës së Uashingtonit kundër programit bërthamor të Iranit.

Raundi i gjashtë i negociatave midis ShBA-së dhe Iranit ishte planifikuar për 15 qershor, por dy ditë më parë, Izraeli kreu sulme ajrore mbi objektiva ushtarake, bërthamore dhe civile në Iran.

Konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit përfundoi më 24 qershor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga ShBA.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us